Masa kundër dhunës në marrëdhëniet familjare
MJETET LIGJORE QË OFRON LIGJI “PËR MASAT NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE” DHE NDIKIMI I TIJ NË LUFTËN KUNDËR KËTIJ FENOMENI
Monitorimi i zbatimit të ligjit Nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, përmes monitorimit të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Vlorë për lëshimin e urdhërave mbrojtës
Periudha e Monitorimit: 1.07.2007-30.04.2008
Ky raport është përgatitur nga studentët e skuadrës pro bono të Fakultetit të Drejtësisë, UFO University nën mbikqyrjen e ekspertëve të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare1. Përgatitja e raportit është mundësuar me mbështetjen e popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
I. HYRJE
Zbatimi i ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, ka qenë dhe është ende një sfidë për avokatët dhe studentët anëtarë të skuadrave pro bono të ngritura pranë Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare në bashkëpunim me Fakultetet e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit jopublik UFO. Këto skuadra, nën drejtimin e ekspertëve të Qendrës, janë përfshirë në ofrimin e asistencës ligjore falas, për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare. Ata janë angazhuar së bashku, edhe në edukimin ligjor të komunitetit, në mënyrë të veçantë, në njohjen dhe përdorimin e mjeteve ligjore të parashikuara nga ky ligj, këshillimeve ligjore të viktimave dhe përgatitjen e akteve nën mbikëqyrjen e avokatëve të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare.

