Deklaratë për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje
Rrjeti Shqiptar kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Trafikimit
Rritje e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje është bërë imediate. Shqipëria është e vonuar
08.03.2009
Rrjeti Shqiptar kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Trafikimit, në përkujtim të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përshëndet të gjitha ato gra dhe vajza, si dhe atë pjesë të shoqërisë dhe shtetit shqiptar që punon e lufton çdo ditë, për të rritur respektin e të drejtave dhe të dinjitetit të tyre në të gjitha fushat: në familje, në punë, në arsim, art e krijimtari, si dhe në jetën politike.
Shpresojmë që më tepër se çdo ditë tjetër, kjo ditë do të shërbejë për të kthyer vëmendjen e shtetit shqiptar, kah grave që kanë nevojë: atyre që luhaten çdo ditë midis pabarazisë e varfërisë, përballen me dhunën fizike e psikologjike brenda familjes; atyre që edhe pse punojnë me shpirt për të siguruar jetesën në familjet e tyre, nuk kanë asnjë pasuri për vete, por mbeten përjetë të varura financiarisht; ndaj grave që rrisin me aq mundime fëmijë të ngujuar nga plagët e gjakmarrjes, si dhe gjithë atyre që ndeshen me abuzime primitive e vulgare të të drejtave të tyre. Roli i tyre në jetën e familjes dhe shoqërisë është i pazëvendësueshëm, prandaj meriton vetëm respekt dhe, jo paragjykime.
Rrjeti i organizatave kundër dhunës me bazë gjinore shpreh keqardhjen e thellë për ekzistencën e fenomeneve të tilla si ai që u demaskua në media ditët e fundit. Shqetësimet dhe ngacmimet seksuale në marrëdhëniet e punës, në emër të detyrës e funksionit, janë një nga shfaqjet më të egra të diskriminimit ndaj gruas. Ato përbëjnë jo vetëm një aspekt të pabarazisë gjinore, por edhe një cënim të rëndë të dinjitetit njerëzor të grave e vajzave. Dëshpërimi ynë është më i thellë po të mbajmë parasysh se, një rast i tillë ndodh pikërisht atje ku gruaja dhe vajza duhet të gjejnë mbrojtjen dhe mbështetjen më të mirë.
I gjithë reagimi shoqëror kundër këtij rasti, pavarësisht nga ngjyrimet politike, ose përkatësia gjinore a shoqërore, ishte një mësim i mirë për qeveritë dhe të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë detyrim, që jo vetëm të eliminojnë raste të tilla nga gjiri i tyre, por të identifikojnë dhe të luftojnë këto fenomene kudo që ndodhin, edhe në personat privatë; të mbështesin denoncimin e tyre, duke mos lejuar paragjykime dhe fajësime të grave dhe vajzave që bëhen viktima të kësaj sjelljeje. Është detyrë e institucioneve që të zbatojnë ligjin ekzistues, por njëkohësisht ta përmirësojnë atë me qëllim që të parandalojë dhe të godasë më mirë këtë fenomen të shëmtuar në shoqëri. Natyrisht, shoqëria civile është këtu për të ndihmuar.
Ne mendojmë që rritja e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje është bërë imediate. Shqipëria është e vonuar. Ëndrrat, dëshirat dhe angazhimet e çdo femre shqiptare, si e çdo shtetasi të Republikës, ecin me orën evropiane të Shqipërisë.
Ju faleminderit!
1. Aleanca Gjinore për Zhvillim
2. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
3. Qendra e Këshilimit për grate e dhunuara
4. Strehëza për gratë e dhunuara
5. Shoqata e grave ?refleksione?

