Deklaratë publike mbi zgjedhjet
A DO TE KETE LISTA TE ZGJEDHESVE-STUDENTE?
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL) duke konsideruar se zbatimi i Kodit të ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, përbën aktualisht një nga problemet më të rëndësishme për mbarëvajtjen e demokracisë në Shqipëri, dëshiron që me anë të kësaj deklarate të kujtojë dhe dhe të sensibilizojë strukturat kompetente për detyrimin që kanë në hartimin e listave zgjedhore të studentëve, të cilët do të votojnë në vendqendrimin e tyre.
Në nenin 64/1 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë është vendosur një garanci e re duke sanksionuar se studentët kanë të drejtë të votojnë në vendqendrimin e tyre. Për realizimin e kësaj të drejte, jo më vonë se pesë muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, me kërkesë të Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, u kërkon rektorateve të universiteteve të përgatisin listën e zgjedhësve që duan të votojnë sipas vendqendrimit të tyre dhe që ndodhen aty në periudhën nga 60 deri në 30 ditë nga data e përfundimit të mandatit të Kuvendit.
Kjo dispozitë ligjore përcakton qartë afatet dhe mënyrat e procedimit të rektorateve me dekanatet, si dhe dërgimin e listave te zgjedhësve në pushtetin vendor.
Ne konstatojmë se deri tani nuk është bërë punë e mjaftueshme për njohjen nga studentët të kësaj dispozite të Kodit të ri Zgjedhor. Gjithashtu, edhe rektoratet e dekanatet në të gjitha univesitetet, kanë një vonesë relative në zbatimin e kësaj dispozite të re ligjore.
Nëse do të anashkalohet rëndësia që paraqesin këto dispozita, do të krijoheshin vonesa të pajustifikuara në përgatitjen e listave zgjedhore të studentëve dhe padyshim, mund të ndodheshim përballë faktit të moszbatimit të kësaj dispozite të Kodit Zgjedhor, gjë që do të ndikonin negativisht në përfundimin e procesit të regjistrimit të zgjedhësve.
Studentët janë pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare, prandaj ndiejmë edhe detyrimin për sensibilizimin e tyre në drejtim të njohjes dhe zbatimit të Kodit të ri zgjedhor.
Ne, si pjesë e shoqërisë civile, kemi detyrë që të nxisim dhe të ndihmojmë në këtë rast procesin zgjedhor, për të realizuar të drejtat e procedurat lehtësuese të studentëve për të votuar në vendqendrimin e tyre, ndërsa organet kompetente kanë përgjegjësi ligjore në realizimin e kësaj detyre, në bazë të Kodit të ri Zgjedhor.

